E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kjo zyre që drejtohet nga Petar Petkoviq, marionetë e Aleksandar Vuçiqit, tha se Kurti “është kërcënimi më i madh i sigurisë për rajonin dhe përderisa ai është në pozitë të pushtetit, askush në Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të flejë i qetë”.
“Serbia është paqësore, por jo e dobët, dhe në të kaluarën nuk kishte frikë as nga kërcënuesit më të mëdhenj se Albin Kurti, dhe kjo është përgjigja ndaj të gjitha ëndrrave të tij për një Shqipëri të madhe dhe një lloj njohjeje de facto ose de jure nga Serbia”, njofton kjo Zyre, transmeton Ballkani.info.
Kjo e ashtuquajtur Zyre tha se Beogradi është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për zgjidhjen paqësore të problemeve në rajon përderisa ka shpresë se “çmenduria e dhunshme e Kurtit dhe e njerëzve të tij mendjelehtë të mund të frenohet në këtë mënyrë”, por ata kurrë nuk do të tërhiqen përballë kërcënimeve dhe dhunës.
Kurti tha sot në Paris se Kosova po përballet me kërcënime të sigurisë nga jashtë, veçanërisht nga Serbia.
“Sa më shpejt të normalizohen marrëdhëniet me njohje de jure dhe de facto, aq më mirë për të gjithë”, ka përfunduar Kurti. /Ballkani.info/







