Në anën serbe në Merdar një shqiptari i konfiskohen stoli diamanti e koleksion antikitetesh

Doganierët e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdar kanë konfiskuar stoli ari me gurë të çmuar dhe koleksion antikitetesh, bën të ditur agjencia e lajmeve Tanjug, transmeton Koha.net.

Sipas këtij burimi është konfiskuar edhe koleksion orësh të shtrenjta, medalje të arta e të argjendta, çakmakë dhe monedha të vjetra, vlera e të cilave të konsiderohet pas ekspertizës profesionale.

Kundërvajtja është zbuluar mbrëmë rreth orës 21, kur nga drejtimi i Kosovës kishte arritur autobusi me targa të Kosovës që qarkullon në relacionin Prishtinë-Gjermani, njoftoi Drejtoria e Doganave të Serbisë.

kontrollit, ndër valixhet dhe çantat e pasagjerëve u gjet një, në të cilën kishte një koleksion të vërtetë orësh të ndryshme të dorës e të xhepit, medalje të arta e të argjendta, monedha të vjetra, çakmakë dhe stoli me diamante e smerald.

Në çantën për të cilën u prezantua si pronar shtetasi kroat 59 vjeç me origjinë shqiptare, u gjetën 32 orë xhepi e të dorës të markave Ebel, Darvil, Citizen, Omega, Polar dhe Garmin, ndër të cilët ekzemplaret më të vjetër ishin nga vitet 1853 dhe 1911.

Krahas kësaj, në çantë janë gjetur edhe hallka diamanti, tri unaza dhe një zinxhir nga ari i bardhë i stolisur me diamant dhe smerald, 22 medalje të arta e të argjendta, 27 kartëmonedha të vjetra gjermane, britanike, turke dhe braziliane nga periudha të ndryshme, 8 çakmankë “dipon”, “Kartie”, “Rotshild” dhe brende të tjera të njohura si dhe disa qafore nga qelibari dhe minerale të tjera si dhe pulla argjendi për këmisha.

Pasagjeri të cilit iu gjetën këto gjësende të paparalajmëruara ka deklaruar se nuk e kishte ditur se duhej t’i paraqiste, meqë kishte kujtuar se nuk janë të reja dhe prandaj nuk duhej t’i lajmëronte.

Në deklaratën e tij ka thënë se antikitetet e i ka hobi dhe se shumicën e tyre i kishte blerë lirë në Prizren, nga e ka origjinën.

Sa u përket stolive nga diamanti, ka thënë se i kishte marrë me vete me rastin ardhjes nga Praga, ku e ka argjendarinë e vet, me qëllim që t’ua dhuronte të afërmeve, por nga disa arsye këtë nuk e kishte bërë.

Rastin e ka marrë policia dhe prokuroria.