Ndryshimi antiligjor i kufijve komunal synon spastrimin etnik të Graçanicës

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ndryshimi i kufijve komunal ndërmjet Fushë Kosovës dhe Graçanicës përveç se është antiligjor, ka për synim edhe spastrimin etnik.

“Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me vendimin e kundërligjshëm dhe antikushtetues për ndryshim të kufijve administrativë mbi baza etnike mes komunës së Graçanicës dhe asaj të Fushë Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Graçanica korrigjon kufirin me Fushë-Kosovën, i jep pjesë të territorit të vet

Kryetarja e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, Albana Gashi foli për kalimin e këtij projekti të dëmshëm në mënyrë krejt të nxituar dhe tërësisht në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Vendimi për zonën kadastrale të fshatrave Uglarë dhe Preoc është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse ajo përcakton se kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm me ligj, respektivisht me plotësim/ndryshim te ligjit për kufijtë administrativ”, tha Gashi.

Këtë vendim e bën më dyshues përfundimi i procesit me nxitim, pa shpjegime, pa rregulla, pa konsultime të gjera me qytetarët dhe sigurisht jashtë kompetencave të nivelit komunal.

Kurse, anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla foli për qëllimin, e mbrapshtë, siç thuhet në komunikatë, të këtij projekti që për qëllim ka largimin e fshatrave dhe lagjeve me shumicë shqiptare, duke i kaluar ato Fushë Kosovës, në mënyrë që Komuna e Graçanicës të pastrohet etnikisht.

“Çfarë e shtyn drejtuesit e Komunës së Graçanicës të japin territor një komune fqinje që prej tyre shihet si komunë me shumicë shqiptare? Cilat janë ato shërbime apo ato të drejta që qytetarët që banojnë në këto dy zona kadastrale nuk i merrkan në Graçanicë por i marrin në Fushë Kosovë? Pse këtyre qytetarëve që rastis të jenë në shumicë dërrmuese të kombësisë shqiptare nuk i shërbejka ma Komuna e Graçanicës, por Komuna e Fushë Kosovës?”, thuhet në komunikatë.

“Kjo është e padyshim e padrejtë. Por legjitimi i kësaj padrejtësie është edhe më i rëndë. Ky rast duhet parë nën dritën e zhvillimeve që lidhen me projektin e Zajednicës. Në të ashtuquajturën “Lugina e Diellit” në Zveçan, një projekt kolonizues përkundër ndalesës së Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ata janë duke vijuar punimet. Në Mitrovicë po duan ta zgjerojnë territorin e komunës në veri të Ibrit në drejtim të asaj të jugut e për këtë po shantazhojnë me mos hapjen e urës”, ka thënë Sveçla.

Ai më tutje ka shtuar, “le të themi që në mungesë totale të seriozitetit të institucioneve të Kosovës dhe në vijim të ligjërimit të Presidentit Hashim Thaçi për kompromise, korrigjime, shkëmbime, korrektime kufijsh është një testim po ndodh brenda vendit. Ky është rasti i Graçanicës me Fushë Kosovën. Këto të dy vendime janë pra të paligjshme, kundërkushtetuese dhe mbi të gjithë të padrejta”.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton ashpër këtë vendim antikushtetues, të paligjshëm dhe të padrejtë dhe për këtë sigurisht që do të shohim mundësitë e adresimit në Gjykatë Kushtetuese e ditëve në vijim do të njoftojmë për veprimet e mëtejshme.