LAJMI I FUNDIT

Ndryshe nga komunat tjera, Kryeqyteti i falë 75 euro nga Tatimi në Pronë – LDK bojkoton seancën

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozimin për falje të tatimit në pronë prej 75 euro.

Me 28 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua ky propozim.

“Falja do te jetë jo më shumë se 75 euro, tatimpaguesit që tashmë e kanë paguar deri në vlerën 75 do të jetë si paradhënie për vitin 2024”, ka thënë Nora Kelmendi, kryesuese e Kuvendit Komunal.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati publikuar propozimin e tij për falje të tatimit në pronë për vitin 2023. Ai pati propozuar që të falet çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro.

“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro. Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”, kishte shkruar Rama në Facebook.

Munguan Rama dhe LDK-ja

Vendimi u mor në seancën e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, ndërsa mungoi kryetari Përparim Rama dhe partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për mungesë të tyre u kritikua nga partitë opozitare.

Propozimin e ka bërë shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gzim Sveçla. Ai kërkoi që ky Ligj të miratohet për shkak siç tha se është në të mirën e qytetarëve.

“Nëse e ka faturën 100 euro, 75 euro i falën ndërsa duhet të paguajë 25 euro.

Përkrahje i dha edhe grupi i asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Leotrim Ratkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës, propozoi që krahas faljes së 100 eurove të bëhet edhe zbritja e vlerës së tatimit në pronë.

“Është e çuditshme që temat më të rëndësishme po lihen pas dore dhe trajtohen në fundvit. PDK e ka të qartë pse gjindet në këtë sallë sepse ne e interes e kemi interesin e qytetarëve. Ne do të propozojmë zbritjen e vlerës së tatimit në pronë dhe e kemi kundërshtuar vlerën e tatimit në pronë. Ne sot kërkojmë që të hiqet barra e rritjes së tatimit në pronë. Vetëm qytetarët mund ta falin pushtetin për rritje të pronës”, tha ai.

Edhe Endrit Zabërgja nga Nisma Socialdemokrate kërkoi që të votohet ky Ligj.

“Nëse e shtojmë edhe gjendjen socio-ekonomike, e shohim të domosdoshme marrjen e këtij vendimi. Më vjen keq të shoh gjendjen e Asamblesë në këtë gjendje dhe do duhej që qytetari t’i sheh gjithë të bashkuar në ndihmesën e qytetarëve”.

E Gëzim Mehmeti nga AKR, tha se vitin e kaluar Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që t’i mbështesë punëtorët komunal me nga 500 euro, me ç’rast përfitues ishin edhe asamblistët.

“Vitin e kaluar kanë përfituar punëtorët e Komunës së Prishtinës, përfshirë edhe neve si asamblistët. Pse të mos i përkrahim dhe qytetarët dhe t’i mbështesim edhe qytetarët me faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë”, pyeti Mehmeti