Ndotja e ajrit rrit numrin e pacientëve në QKUK

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit javën e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Spitalin e Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Si pasojë e shkallës së lartë të ndotjes së ajrit javën e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin e Mushkërive në Prishtinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Pulmologu në Spitalin e Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Bahri Thaçi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit javën e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në këtë klinikë.

Sipas tij, ndotja e ajrit ndikon më shumë në shëndetin e fëmijëve dhe të personave të moshuar.

“Ajri i ndotur ndikon jashtëzakonisht keq te pacientët, posaçërisht ndikon te fëmijët e vegjël, te moshat e shtyra dhe te ata që kanë sëmundje kronike të mushkërive, kryesisht me bronkit, me sëmundje të tuberkulozit dhe ata që kanë probleme të zemrës e të enëve të gjakut. Realisht ndikon te të gjithë, por te këto kategori ndikon më shumë. Deri më tani ka qenë situatë e mirë, nuk ka qenë ndotja shumë e lartë, por javën e fundit veçse po vërehet se ka filluar ndotja, sepse ka filluar edhe përkeqësimi i pacientëve”, ka thënë ai për “Zërin”.

Thaçi ka treguar edhe disa nga simptomat të cilat shfaqen si pasojë e ndotjes së ajrit.

“Pacientët veçse kanë simptoma të tjera, të cilat fuqizohen në këtë sezon kur vjen deri te ndotja e ajrit. Kollitja e nxjerrja e këlbazës me sasi të shtuar janë simptoma që kanë ardhur deri te përkeqësimi, që shumicën e herëve shkakton ajri i ndotur”, ka thënë ai.