Ndodh edhe kjo: Flamujt e Kosovës dhe Serbisë në një shtyllë midis Bosnjës e Hercegovinës

Çuditërisht organizatori i Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), Sarajeva dhe Sarajeva Lindore 2019, ka zgjedhur t’i vendosë në një shtyllë, pranë njëri-tjetrit, flamujt e Kosovës dhe Serbisë.

Kosova është duke u përfaqësuar nga dy skitare, Klea Vrella dhe Elba Kokaj, në Festivalin Olimpik që është duke u mbajtur në Bosnje dhe Hercegovinë, shtetin që nuk e njeh Kosovën si ta pavarur.

Por, kjo nuk ka mundur ta parandalojë valëvitjen e flamurit kosovar në Sarajevë.

Megjithatë, ajo çfarë çudit më shumë është se flamuri i Kosovës është vendosur pranë atij të Serbisë, siç shihet edhe një fotografi publikuar në rrjetet sociale nga zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi.

Dy skitaret kosovare , Klea Vrella dhe Elba Kokaj, i kanë përfunduar sot garat në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), Sarajeva dhe Sarajeva Lindore 2019. Ato garuan në sllallom të madh dhe zunë vendet 71 dhe 72, përkatësisht.

Klea zuri vendin e 71, me kohë 3:22.27 sekonda nga të dy lëshimet, ndërsa Elba të 72-tin me kohë 3:24.77 sekonda nga të dy lëshimet në sllallom të madh në garat e mbajtura në Qendrën Skitare të Jahorinës në Sarajevë.

Në total 101 garuese morën pjesë në garën e sllallomit të madh, ndërsa 29 prej tyre dolën nga shtegu ose u diskualifikuan duke mos qenë në gjendje ta mbarojnë garën.