Një shtetas i Serbisë, i moshës 31 vjeç, është arrestuar në natën ndërmjet të hënës dhe të martës në Kroaci, në autostradë, pas më shumë se 20 minutash ndjekje si në filma.
Disa minuta para mesnatës, zyrtarët policorë të cilët të përforcuar punpjnë në kapjen e kontrabandistëve të njerëzve, iu kanë lëshuar një furgoni në autostradë, me regjistrim të Zagrebit, i cili dyshohej se po bartte ilegalisht njerëz.
Sipas mediave kroate, përcjellë Ballkani.info, shoferit i është bërë me dije se duhet të ndalojë, mirëpo ai e ka shtuar shpejtësi dhe ka vazhduar të ikë në autostradën që çon në drejtim të Zagrebit.
Në disa raste ka tentuar ta shtyjë veturën e policisë dhe ta largojë nga rruga.
Policia ka vazhduar të ndiqte, por shoferi nuk hiqte dorë dhe vazhdonte rrugën drejt Zagrebit. Që ta ndalonin para se të hynte në qytet, në vendin ku bëhen pagesat për autostradë ishin vendosur veturat e policisë si barrikada.
Pas 20 minutash aksion, me të arritur në Luçko, aty ku ishin barrikaduar veturat e policisë kroate, kombi nuk ndaloi, por e theu laurën dhe më pas u ndesh me shpejtësi të madhe me dy vetura të policisë. Kjo i pamundësoi ikjen e mëtutjeshme.
“Mund të konfirmojmë se shoferi 31 vjeç është arrestuar dhe ai është shtetas i Serbisë. Gjatë kontrollit në kombi, policia i ka gjetur 33 persona, të gjithë migrantë”, thuhet në njoftimin e policisë kroate.
Shoferit i është dhënë ndihma mjekësore, ku është konfirmuar se ka marrë lëndime të rënda nga tentimi për ta çarë bllokadën. /Ballkani.info/







