Ndizet alarmi! Për vetëm dy ditë, kaq raste me koronavirus në komunën e Ferizajt

Komuna e Ferizajt po vazhdon të prijë me numrin me të madh të rasteve, për dy ditë kjo komune ka regjistruar plot 21 raste me koronavirus. 

Sipas IKSHPK’së, komuna e Ferizajt vetëm dje ka regjistruar 16 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Balaj dhe 5 raste Ferizaj), ndërsa sot 5 raste të reja sipas vendbanimit: 4 raste Ferizaj dhe 1 rast Balaj), duke u bërë edhe sot komuna me më se shumti raste në Kosovë.

Kjo komune ka reaguar dje pas paraqitjes së 16 rasteve të reja, ku është bërë apel për respektimin e masave parandaluese.

Përmes një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të kësaj komune, bëhet apel për qytetarët që të respektojnë distancën fizike dhe rregullat e sjelljes për mbrojtjen gjatë pandemisë.

“Bashkëqytetarë, respektoni distancën fizike e rregullat e sjelljes e mbrojtjes gjatë pandemisë. Është e domosdoshme disiplina në zbatim të këtyre masave, në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Komuna e Ferizajt njofton se të gjitha rastet e reja janë me kontakt, teksa iu uron shërim pacientëve të prekur me koronavirus.

Ndryshe, Ferizaj ka gjithsej 129 raste me koronavirus, prej tyre dy me përfundim fatal.