Andrew Strong

Ndizen qirinj sonte në Prishtinë në nderim të avokatit të Kadri Veselit, Andrew Strong

Andrew Strong – njëri nga avokatët më profesionistë dhe më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë, u nda nga jeta të hënën. Gjendja shëndetësore në ditët e fundit të jetës së tij u përkeqësua dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Strong ishte njëri nga avokatët e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli në Gjykatën Speciale në Hagë, teksa ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës edhe të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

E, në nderim të tij sot tek Teatri Kombëtar i Kosovës në orën 18:00 do të ndizen qirinj.

Ky aktivitet është organizuar nga grupi “Liria ka emër”.

Avokati u shtrua në spital pasi të premten përjetoi një sulm në zemër, teksa ishte duke vrapuar në shtegun e vrapimit në Hagë.

Përkundër intervenimit dhe përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë në vend dhe transferimit të tij në spital nga njësiti i Urgjencës, Strong nuk arriti ta përballojë dëmtimin që i shkaktoi infarkti akut.

Ai vdiq të hënën, në orët e pasdites.

Për vdekjen e tij kanë shkruar edhe shumë kolegë e bashkëpunëtorë në Kosovë, me të cilët kanë punuar në periudha të ndryshme.