Ndihma 236 milionëshe u nënshkrua nga vajza e Madeleine Albright, të cilën Kurti e kërcënoi dhe e quajti të korruptuar

Republika e Kosovës  dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkruan sot marrëveshjen për  Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollar.

Por, për ironi kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeshefja ekzekutive e MCC-së Alice Albright, vajza e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeleine Albright e cila vdiq këtë vit, shkruan Demokracia.com.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, partia e të cilit dhjetë vite më parë e kishte kërcënuar mikeshën e madhe të shqiptarëve të Kosovës.

Por Kurti duke se sot i veshur me petkun e pushtetarit i ka harruar të bëmat e tij dhe nga goja e tij dalin vetëm fjalë të bukura.

Ai sot madje foli shumë fjalë të mëdha për dy zonjat Albright.

“Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Ëashington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright.”, ka shkruar Kurti.

Por si ndodhi kërcënimi nga partia e Albin Kurtit?

Më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, duke qenë faktor kryesor në bombardimin e Jugosllavisë, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright kishte vendosur të investonte në Kosovë. Kompania e saj “Albright Capital Management Llc” i ishte futur garës me 7 kompani të tjera vendore dhe ndërkombëtare për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Megjithatë, ky vendim i gruas që sot edhe nga Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet si “heroinë e Kosovës”, ishte kundërshtuar fuqishëm asokohe nga ky subjekt politik, që me aktivistët e vet në mënyrë të organizuar edhe e kishte kërcënuar.

Demokracia.com pak pas vdekjes së zonjës Madeleine Albright ka publikuar një letër ekzskluzive për të cilën ishte deklaruar edhe ish-ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, e cila kishte treguar se Albright ishte kërcënuar nga Kurti dhe partia e tij.

Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, aktivistëve të saj ua kishte bërë gati edhe shkresën kundër Albright, duke i “urdhëruar” që të njëjtën masivisht t’ia dërgonin asaj në e-mail për ta penguar privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com, shihet se Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Kurti kishte përdorur një gjuhë tepër të rëndë me Albright, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje në korrupsion.

“Ndërmarrja publike të cilën ju synoni ta shpronësoni nga ne, përmes Qeverisë Thaçi, është ndërtuar nga mundi i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ky proces i privatizimit është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Këta të fundit, së bashku me mijëra qytetarë, kanë protestuar disa herë kundër privatizimit. Procesin e mbështet vetëm partneri juaj, Hashim Thaçi. Personi që ju keni zgjedhur si partner nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Partneri juaj, Hashim Thaçi, është personi kryesor përgjegjës për minimin e kësaj ndërmarrjeje me korrupsion të thellë, shpërdorim dhe nepotizëm. Përkundër kësaj, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej rreth 90 milionë euro në vit, fitim i cili është thelbësor për funksionimin e shtetit social. Nëse largohet korrupsioni dhe nepotizmi i Qeverisë Thaçi, kjo ndërmarrje do t’i sillte Kosovës 130-140 milionë euro fitim në vit. Ky korrupsion nuk largohet nëse e privatizoni këtë ndërmarrje, sepse vetë investimi juaj është korruptiv, pasi nuk bazohet në pëlqimin e punëtorëve dhe qytetarëve, por vetëm të Hashim Thaçit dhe vartësve të tij. Nuk jeni ju zgjidhja që ne kemi kërkuar; në vend të kësaj ju jeni ata që do të merrni fitimet e Telekomit të Kosovës dhe do të na lini me Postën e Kosovës humbëse. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, thuhej në letrën që aktivistët e Kurtit ia kishin dërguar masivisht ish-sekretares Albright si aksion protestues kundër saj.

Në fund të kësaj letre të siguruar nga Demokracia.com, shihet edhe kërcënimi për të cilën kishte folur ambasadorja Jacobson.

Aty theksohet qartë se çdo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë të personalizuar, kishte thënë se do t’i mbledhin familjarët dhe të gjithë ata që i njohin për ballafaqim me ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.

“Nëse vazhdoni të insistoni në privatizimin e PTK-së, duhet të jeni të vetëdijshëm se unë dhe familja ime, duke u bërë thirrje të gjithëve atyre që njohim, do të ballafaqohemi me ju për t’ju penguar juve dhe Qeverinë që të vazhdoni me këtë proces që është i drejtuar kundër nesh. Ju rikujtojmë edhe një herë se kjo ndërmarrje është pronë e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirojmë t’ju japim disa këshilla për t’ju ndihmuar kur mendoni për investimin tuaj. Duhet të jeni të vetëdijshëm se fitimet e fituara nga privatizimi i Telekomit të Kosovës nuk do të zgjasin më shumë sesa jeta e Qeverisë Thaçi”, thuhej në këtë letër, e cila ish-sekretares Albright i ishte dërguar masivisht më 1 shtator të vitit 2012, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit për të cilin ajo kontribuoi shumë.

Sa i përket blerjes së PTK-së, “Albright Capital Managment Llc” ishte në mesin e 8 kompanive të interesuar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Disa prej kompanive të tjera ishin vendore dhe ndërkombëtare, raporton Demokracia.com.

Autoritetet kompetente si kompani fituese kishin shpallur kompaninë gjermane “AXOS Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, më një vlerë 277 milionë euro.

Sidoqoftë, më 31 dhjetor 2013, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) kishte njoftuar se ka dështuar përfundimisht procesi i privatizimit të këtyre aksioneve të PTK-së. /Demokracia.com/