1 milion euro

Ndërsa Qeveria kërkon t’i formalizojë, Greqia financon portale në Shqipëri

Në një kohë kur Qeveria shqiptare po kërkon të formalizojë portalet, në lidhje me të ashtuquajturën Paketa Antishpifje, në Greqi duket se ka plasur një tjetër skandal që lidh edhe me Shqipërinë.

Dorëheqja e Nikos Kotzias nga posti i ministrit të Jashtëm të Greqisë duket se ka shkaktuar stuhi në Qeverinë e Alexis Tsipras. Shkak u bë një debat i ashpër mes Kotzias dhe ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos, që nisi fillimisht me marrëveshjen për emrin e Maqedonisë dhe përfundoi tek fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme greke dhe ministrive të tjera.

Mediat greke kanë zbuluar të tjera informacioneve për këto fonde sekrete dhe kanë mësuar se një pjesë e këtyre parave janë përdorur në Shqipëri dhe Maqedoni, raporton GSH.

Jozyrtarisht, shtypi grek ka mësuar se një shumë prej 1 milion Eurosh nga fondi sekret i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, është përdorur në dy vendet fqinje, Shqipëri dhe Maqedoni.

Një pjesë e këtyre parave janë kanalizuar nëpër disa media online shqiptare (portale) duke i financuar. Gjithashtu, një shumë tjetër janë përdorur për të financuar edhe media në Maqedoni. Kurse pjesa tjetër e parave janë dhënë në mbështetje të Kishës Ortodokse.

Pra, fondi sekret prej 1 milion Euro i Ministrisë së Jashtme greke është ndarë në këto 3 drejtime.

Në debatin që pati me ministrin Kamenos në mbledhjen e qeverisë, Kotzias i kërkoi Kryeministrit Tsipras që ligji për fondet sekret që aplikohet vetëm për Ministrinë e Jashtme, të aplikohet edhe në Ministritë e tjera për të monitoruar përdorimin e këtyre parave.

Ish-ministri Nikos Kotzias ka kërkuar që Qeveria të publikojë letrën e tij të plotë prej 9 faqesh ku shpjegon arsyet e dorëheqjes.