Ndërron jetë 16 vjeçarja nga COVID-19, pacientja më e re

Opinioni publik francez u shokua sot nga lajmi i vdekjes nga COVID-19 i një adoleshenteje 16-vjecare në Paris.
Sipas prindërve Julie, emri i vajzës që shndërrohet tashmë në viktimën më të re të prekur nga pandemia, nuk kishte probleme shëndetësore të njohura.

Sipas të ëmës, ajo shfaqte vetëm pak kollë, gjatë gjithë javës, dhe të shtunën kishte filluar të mos merrte frymë lirisht. Fillimisht mjekët vëzhgojnë probleme në mushkri, të gjykuara gjithsesi jo të rënda.

Situata sipas saj u përkeqësua gjatë natës të së shtunës, gjë që detyroi mjekët ta shtronin në terapi intensive, ku tamponi i parë jep përgjigje negative.
Është i dyti ai që tregon të vërtetën e hidhur.  Jo vetëm Julie është infektuar me koronavirus, por është në momentet e saj të fundit. 

Vajza ndërroi jetë në mëngjesin e të enjtes.

Mjekët pohojnë se një rast i tillë i një pacienti kaq të ri dhe pa sëmundje kronike mbetet shumë i rrallë,  por ndërkohë rasti fatkeq i Julisë po trondit gjithë Francën, që ka më shumë se 29 mijë të prekur.