Ndërpritet evakuimi në qytetin ukrainas, Rusia nuk përfilli armëpushimin

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është pezulluar. Sipas zyrtarëve pala ruse nuk ka respektuar armëpushimin e përkohshëm, ndërkohë, banorëve u është kërkuar të strehohen në vende të sigurta deri në pritjen e një vendimi të dytë.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit tha për BBC-në se Mariupol ende po bombardohej dhe ka gjithashtu raporte se luftimet po vazhdojnë përgjatë gjithë rrugës së evakuimit.

Tashmë Ukraina ka hyrë në ditën e 10 të luftimeve dhe rezistencës ndaj agresionit rus.

Rusia sot shpalli armëpushim dhe vendosi hapjen e korridoreve humanitare për civilët.

Ushtria ruse tha se do të ndalojë të shtënat dhe do të lejojë civilët të largohen nga Mariupol dhe Volnovakha.