I ashtuquajturi

Ndarja e tokës për Policinë e Kosovës në veri të Mitrovicës e tërbon Serbinë, Petkoviq vjell vrerë

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, ka reaguar sot pas vendimit të komunës së Mitrovicës së Veriut për ndarjen e një parcele komunale Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Gjuha e Petkoviqit tashmë njihet kur ai flet për Kosovën, kështu ka qenë edhe kësaj radhe, duke e quajtur okupuese autoritetet e Mitrovicës së Veriut, shkruan Ballkani.info.

“Siç e paralajmëruam gjithë bashkësinë ndërkombëtare, pushtuesi Albin Kurti nga veriu i Mitrovicës sot ka bërë një hap të ri drejt militarizimit dhe pushtimit të plotë të veriut të Kosovës me forcat e tij parapolicore, duke vazhduar me rrëmbimin e tokave në këtë komunë me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Sipas tij, në atë tokë ekziston PUC “Standard”, PUC “Vodovod” dhe Autoriteti i Përkohshëm i Mitrovicës së Kosovës, dhe ripërdorimi është bërë me qëllim që “të vështirësohet edhe më shumë shtypja që i është bërë serbëve në veri të Ibrit dhe për të krijuar një fortifikim të ri policor në zonat serbe”.

“Uzurpimi i këtij vendi nga pushtimi i Kurtit është një përpjekje tjetër për të shkaktuar një krizë të re në veri të Kosovës, duke shmangur kështu obligimet e Prishtinës në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe për të penguar procesin e shkarkimit të kryetarëve ilegalë të inicuar nga serbët nga veriu i kësaj komune”, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se i ka njoftuar të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë për atë vendim, për të cilin pretendon se është i paligjshëm dhe shtoi se pret një përgjigje urgjente prej tyre për të “ndalur tërbimin e Kurtit”.

Petkoviq tha se në ato kompani komunale janë të punësuar më shumë se 300 persona, ndërsa numri i të punësuarve në Autoritetin e Përkohshëm është dukshëm më i lartë.

“Në afërsi të këtyre objekteve ndodhen edhe Salla e Sporteve, stacioni hekurudhor dhe i autobusëve, në atë zonë ka nisur ndërtimi i një shkolle për fëmijët romë, e cila është ndalur nga ky kryetar pushtues, ka edhe objekte banimi, konvikete studentore  dhe nuk ka nevojë ose nuk mund të ndodhë që aty të vendosen pjesëtarë të policisë së Kurtit, e cila njihet vetëm për keqbërje ndaj popullit serb”, tha Petkoviq.

Kujtojmë se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, krahas agjendës së shpallur fillimisht, ka miratuar një vendim, me të cilin trualli afër Remontit Ushtarak i është dhënë MPB-së së Kosovës. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Qeveria u kërkon katër komunave në veri 12 milionë euro për borxhin e rrymës