I dyshuari për shkaktimin e aksidentit në Qyshk të Pejës pasditen e sotme, është ndaluar për 48 orë.

Kështu ka konfirmuar, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“Prokurori i shtetit, bashkë me Inspektoratin Policor, ka dalë në vend të ngjarjes. Lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Personi i dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë për veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’”, ka thënë Nikçi.

Ndërkaq, Klani mëson se i dyshuari për shkaktimin e këtij aksidenti është zyrtari policor Argjend Kastrati, i angazhuar me detyrë në Stacionin Policor të Pejës.

Po ashtu, është raportuar nga disa media se e aksidentuara ka vdekur, por ky lajm është demantuar edhe nga Policia e edhe nga burime të Klanit brenda QKUK-së.