Ndalohet një person, dyshohet se vrau vëllaun dhe më pas e dogji trupin e tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se gjatë ditës së sotme është arrestuar dhe me pas ndaluar personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak, Komuna e Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e Rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K. i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij që nga data 14.02.2020.

Pas veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K. ku në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.

Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit në polici, ku prezent ka qenë edhe prokurori i rastit, i dyshuari G.K. e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike.

Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë.