Ndalohen dy persona në Gjilan, ushtruan presion për votimin e një partie

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar dy persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Cënimi i përcaktimit të lirë të votuesve”

Bëhet e ditur se të dyshuarit Z.D. dhe V.B. që nga data 25 shtator në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K., dhe J.K., që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të përkrahin dhe të votojnë Listën Serbe.

“Të dyshuarit, fillimisht më 26 shtator 2019, kanë ushtruar presion tek i dëmtuari O.K., duke e futur në veturë kinse për ta kontrolluar, pastaj e kanë kanosur përmes telefonit, në mënyrë që i njëjti t’iu bindej udhëzimeve të tyre. Ndërsa, më 27 shtator 2019, të dyshuarit e lartshënuar, kanë vazhduar presionin ndaj të dëmtuarit S.K., në atë mënyrë që e fusin në veturën e tyre, kinse për të biseduar pavarësisht vullnetit të tij, deri atëherë kur i dëmtuari e shfrytëzon momentin kur vetura nuk ishte në lëvizje dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, theksohet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje Prokuroria bën të ditur se në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, dyshohet që për shkaqe politike, të dëmtuarës J.K., i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan dhe vendimi të njëjtët i është dorëzuar më 30 shtator.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, përpos deklaratave të të dëmtuarve – dëshmitarëve, posedon edhe prova tjera materiale (incizime telefonike, sms) dhe brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurve, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

loading…