Dinari serb

Ndalimi i dinarit: SHBA-ja, Gjermania, Franca, BE-ja, të shqetësuara për pasojat, e kritikojnë Qeverinë Kurti

Çështja e ndalimit të dinarit tashmë është e shumë komentuar. Qëndrimet e Kosovës, por edhe të aleatëve të saj, janë të njohura e publike. Në fakt, si rrallë herë, aleatët e Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Gjermania e Franca, por edhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të përbashkuar në kritikën ndaj Qeverisë Kurti.

ShBA-ja, aleati më i besuar i kosovarëve, në disa raste e ka shprehur publikisht kritikën ndaj Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, përveç kritikave, kishte edhe një paralajmërim për mundësinë e tensionimit etnik.

“Ne mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme, por edhe diskutim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht do të eskalojë tensionet etnike dhe të tregohet problematik për jetët e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës. Jemi duke shpresuar që Qeveria e Kosovës do të gjejë një rrugë që të realizojë atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që është që të kemi një lloj, nuk arrij të kutjoj termin e saktë që ai e përdori, një periudhë tranzicioni ” – tha ambasadori Hovenier dy ditë më parë.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ishte goxha kritik, duke theksuar se deri më tani “nuk kanë dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme”.

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare” thuhej, ndër të tjera, në deklaratën e DASh.

Edhe Gjermania pajtohet me ShBA-në për mundësinë e “pasojave të gjera” nga ndalimi i dinarit, duke kërkuar shtyerjen e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

“Ne fuqishëm i apelojmë Kosovës të shtyjë hyrjen në fuqi të vendimit, deri të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, deklaroi javën e kaluar Christiane Hoffman, zëdhënëse e Qeverisë së Gjermanisë, ndonëse e quajti vendimin sovran, por paralajmëroi se kjo mund të jetë “lëvizje e rëndësishme me pasoja të gjera”.

Ndërsa Franca, përmes Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, kërkoi pezullimin e mënjëhershëm të ndalimit të dinarit.

“Në mungesë të zgjidhjeve alternative deri më sot, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase për të siguruar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni. U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të gjejnë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – thuhet në komunikatë.

Ndërsa BE-ja ishte e shqetësuar për ndikimin që do të ketë në komunitetin serb, posaçërisht në mbarëvajtjen e shkollave dhe spitaleve, që udhëhiqen nga strukturat e Serbisë.

“Kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i BE-së, disa ditë më parë.

Sjellim ndër mend që QUINT-i, pra ambasadat e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Zyra e BE-së, kishte dalë me një reagim të përbashkët në lidhje me ndalimin e dinarit, ku shpreheshin shqetësimet për këtë veprim të Bankës Qendrore të Kosovës.

VIDEO BONUS: Ndalimi i dinarit, Hovenier: S’e di si mund të shmanget frustrimi te serbët lokalë, jam i shqetësuar