Nazlije Sherifi dhe vullnetari i veshkës të hënën dërgohen në Tiranë për analiza, shpresohet në përputhshmëri të veshkës

Rasti i Nazlije Sherifit ka prekur zemrat e shumë mitrovicasve dhe qytetarëve të tjerë, të cilët u organizuan e angazhuan për mbledhjen dhe sigurimin e mjeteve financiare për shërimin e saj.

Gjestin më madhështor ndër të gjithë, padyshim bëri qytetari Valmir Aliçkaj, i cili shprehu gatishmërinë që Nazlijes t’i dhurojë veshkën, shkruan “Jepi zë”.

Vëllai i saj, Ilir Sherifi, përmes një shkrimi në facebook njoftoi të gjithë se Nazlija dhe Valmiri të hënën do nisen drejt Tiranës për të kryer analizat e nevojshme për përputhshmëri të veshkës.

Ai tha se nëse ka përputhshmëri, transplanti mund të kryhet dhe se me ndihmën e gjithë bamirësve, shpresojnë se shuma e të hollave do mjaftojë.

Ai ka falënderuar të gjithë njerëzit që iu gjendën pranë familjes Sherifi në këtë kohë të vështirë për ta dhe tha se edhe ai, gjithmonë do jetë në gatishmëri të ndihmojë popullin e tij.

Postimi i plotë i Ilir Sherifit:

“Përshëndetje !
Tê nderuar familjarë,miq dhe njerëz të vullnetit të mirë , fillimisht ju falenderojë të gjithëve nga zemra për kontributin e dhënë, dashtë Allahu të keni shëndet dhe gjithë të mirat në jetë.Siç e kam potencuar edhe në intervista ,nëse gjendet veshka e përshtatshme ,shpenzimet ulen,andaj të gjithve ju lus që të bëni lutje që veshka e Valit dhe Nazlijes të përputhen . Të hënën do të dërgojmë Nazlijen dhe Valin për të kryer të gjitha analizat e nevojshme në Tiranë. Nëse marrim konfirmim të plotë nga stafi përgjegjës i mjekëve nefrolog se kemi përputhshmëri të veshkëve ,transplanti mund të kryhet dhe shuma e arritur deri tani me ndihmën e gjithë bamirësve shpresojmë se do të mjaftojë. Deri në përfundim të analizave dhe marrjes së rezultatit ,neve na mbetet të bëjmë lutje që të kemi përputhshmëri dhe sukses në të gjitha procedurat mjekësore . Në këto ditë të vështira ,gjeta mbështetje nga të gjithë ju ,pashë njerëz me zemër të madhe sa që nuk kam fjalë t’i përshkruajë ,tërë jetën do të jem falenderues ndaj jush dhe gjithmonë në gatishmëri të ndihmojë popullin tim .

Zoti e bekoftë popullin shqiptarë!
I.SH”