Nazim Sahiti kërkon anulimin e vendimit për shkarkimin e tij

Përfaqësuesi i ish-drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, ka thënë se shkarkimi i tij nga kjo pozitë është bërë për motive personale dhe me qëllim të avancimit të personave të tjerë.

Një deklaratë të tillë, e ka dhënë përfaqësuesi i tani paditësit, avokati Besnik Berisha, në seancën përgatitore të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, ish-drejtori i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Besnik Berisha deklaroi se gjatë këtij gjykimi do të vërtetohet se vendimi për shkarkimin e paditësit nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike është i padrejtë dhe me të janë cenuar të drejtat kushtetuese të paditësit.

“Është vendim i padrejtë, arbitrar, i motivuar për gjithçka tjetër, por jo për nevojat operacionale të institucionit të Policisë, se vet arsyetimi i dhënë nga i padituri është në shkelje të udhëzimit administrativ në të cilin mbështetet vendimi, dhe në veçanti do të provohet se është diskriminues edhe për nga lartësia e pagës, kualifikimi profesional dhe përvoja profesionale e paditësit”, ka thënë avokati Berisha.

Ndërsa, bazën juridike të padisë e kundërshtoi përfaqësuesja e të paditurës, Nexhmije Karaqi, e cila tha se vendimi i të paditurës është marr në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Ajo kërkoi nga gjykata që padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar në ligj, si dhe ta lë në fuqi vendimin për shkarkimin e Sahitit.

Ajo i propozoi gjykatës që brenda tri ditësh të plotësojë procedurën e provave, propozim ky i cili u aprovua nga gjykatësi Lekë Prenaj.

Ndërsa, lidhur me përgjigjen në padi, avokati Berisha, deklaroi se argumentet e ofruara nga e paditura, provojnë pretendimet në padi se shkarkimi i paditësit nga pozita e drejtorit ishte tërësisht i kundërligjshëm, dhe se në asnjë rresht në përgjigje në padi, sipas tij, e paditura nuk ka ofruar asnjë argument se kush ishin nevojat operacionale të policisë të cilat justifikuan shkarkimin e tij dhe transferimin në një pozitë tërësisht jo ekuivalente me pagën dhe përvojën e tij profesionale.

Avokati Berisha, i propozoi gjykatës që të sigurojë prova se kush është aktualisht i emëruar në pozitën që mbante paditësi, dhe cila është përvoja dhe përgatitja e tij.

Kjo me pretendimin se shkarkimi i paditësit nga pozita e drejtorit është bërë jo nga paaftësia për punë, por sipas tij, për motive personale dhe me qëllim të avancimit të personave të tjerë.

Lidhur me këtë, është kundërpërgjigjur përfaqësuesja e të paditurës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, e cila kundërshtoi deklarimet e avokatit Berisha, si të pambështetura në legjislacionin në fuqi me pretendimin se vendimi i të paditurës është marr në pajtim me udhëzimin administrativ.

Sipas saj, në bazë të udhëzimit administrativ, drejtori ka të drejtë që për nevoja operacionale edhe pa pëlqimin e tij t’i ndryshojë pozitën.

Për këtë, sërish ka reaguar avokati Berisha, i cili tha se nuk është fare kontestuese kompetenca e personit që ka marr vendimin, por sipas tij, pala paditëse konteston nevojën operacionale, e cila nuk është arsyetuar.

“I vetmi argument që këta e parashtrojnë para gjykatës është e drejta e drejtorit të policisë, për të bërë transferimin e zyrtarit policor pa pëlqimin e tij nga një pozitë ne tjetrën, mirëpo në asnjë fakt e as referencë në aktin nënligjor të policisë nuk parashtrohet kushti esencial, për të parandaluar anulimin me të drejtën diskrecionale, e që në rastin konkret ishte nevojat operacionale, të policisë, logjika e ligjit të policisë, udhëzimit administrativ mbi të cilin bazohet vendimi administrativ, lejon mundësinë e transferim pa pëlqimin e zyrtarit policor vetëm nëse aftësia, përgatitja e tij profesionale, apo ndonjë shkathtësi e veçantë e tij, kërkohet në një departament tjetër, për kohe sa me te shkurtër, e jo siç pretendohet ne parashtrimet e të paditurit”, ka thënë avokati Berisha.

Sipas avokatit Berisha, nuk do të ofrohet asnjë provë nga pala e paditur se vet paditësi ka qenë pengesë apo nuk ka plotësuar kushtet e nevojshme për të realizuar nevojat operacionale të mandatit të tij, apo të ketë refuzuar apo kundërshtuar ndonjë kërkesë apo urdhër të eprorëve të tij, për të ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar për të realizuar një hetim të targetuar.

Por, sipas tij, do të provohet se në kohën sa kryesohej nga paditësi Departamenti i Krimeve Ekonomike, kishte rezultate shumë më të mitra dhe më efikase, sesa nga dita e shkarkimit të tij.

Gjatë kësaj seance, përfaqësuesi i paditësit, avokati Berisha propozoi edhe marrjen e provës përmes ekspertizës financiare.

Ndryshe, gjykatësi Prenaj, kërkoi nga përfaqësuesi i paditësit që të bëj precizimin e padisë lidhur me lartësinë e diferencës në të ardhura dhe periudhën kontestuese.

E këtë avokati Berisha, e bëri gjatë seancës, ku sipas tij lartësia e diferencës është 200 euro, ndërsa periudha kontestuese është që nga marrja e vendimit për shkarkim e deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Seanca e radhës ku pritet të nxjerrët ekspertiza financiare do të mbahet më 25 mars 2019, në ora 11:00.

Sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, paditësi Nazim Sahiti, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Sipas padisë, paditësi në vitin 2017, fillimisht ishte emëruar ushtrues i detyrës në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e disa muaj më vonë ishte graduar edhe me gradën Major, ndërsa në maj të vitit 2018, ishte emëruar në pozitën e drejtori i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Por, sipas pretendimeve në padi, përkundër vlerësimit pozitiv të përformancës dhe arritjes së objektivave të punës si drejtor, paditësi pa pëlqimin e tij, u shkarkua nga pozita e drejtorit me vendimin e 17 tetorit 2018.

Sipas padisë, i pakënaqur me këtë vendim, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në Komisionin për Ankesa, por që sipas padisë, Komisioni për Ankesa kishte marr një vendim në të cilin nuk kishte adresuar fare pretendimet e ngritura në ankesë.

Andaj, paditësi i bindur se vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është i padrejtë, i kundërligjshëm dhe i bërë për motive të hakmarrjes personale, kishte kërkuar nga Gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe të obligohet e paditura që paditësin ta kthen në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe t’i bëj kompensimin e diferencës së pagës.