Pas SHBA

NATO s’e kundërshton formimin e Ushtrisë së Kosovës

Në prag të formimit të ushtrisë, Kosova ka marrë mbështetjen e NATO-s. Kjo e fundit kërkon që gjatë këtij procesi të konsultohen ‘të gjithë aleatët’ dhe ‘pakicat’.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë miratuar me shumicë votash tri projektligjet e nevojshme për shndërrimin e FSK’së në ushtri.

Projektligjet do të dërgohen së shpejti në parlamentin e Kosovës

Në këtë fazë NATO nuk kundërshton një proces të tillë.

“Çdo iniciativë për ndryshim mandati të FSK’së është mirë të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO’s”, thuhet në një përgjigje të NATO-s për BIRN.

NATO është e bindur se FSK është forcë profesionale dhe burim i stabiliteti ne rajon, derisa thekson se Aleanca do të mbetet e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend nëpërmjet KFOR’it.

Vitin e kaluar institucionet në Kosovë dështuan të formojnë ushtrinë me anë të ndryshimeve kushtetuese pasi kjo kërkon votën e 2/3 të të gjithë deputetëve dhe 2/3 e 20 deputetëve joshqiptarë.

Deputetët serbë në Kosovë që kanë 10 nga 20 ulëset e rezervuara në Kuvend kanë bllokuar në vazhdimësi iniciativën për shndërrimin e FSK’së në ushtri.

Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë tha se ka marrë mbështetjen e SHBA’së për formimin e ushtrisë së Kosovës.