NATO

NATO planifikon të stacionojë zyrtarë në Kiev

NATO po planifikon të vendosë një zyrtar të lartë civil në Kiev, si pjesë e masave të reja të krijuara për të ofruar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Siç raporton Wall Street Journal, masa pritet të shpallet në samitin e NATO-s në Washington javën e ardhshme.

Me këta hapa synohet ndërtimi i perspektivës së Ukrainës për t’u bashkuar përfundimisht në aleancë pa i ofruar anëtarësim.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka kritikuar SHBA-në për hezitimin e saj për të lejuar vendin e tij në NATO.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha muajin e kaluar se Ukraina duhet të fitojë luftën me Rusinë përpara se të mund të bashkohet.

“Është e ashtuquajtura një hap përpara, dy hapa prapa. Nuk mendoj se kjo është politika e liderëve botërorë”, u kundërpërgjigj Zelensky ndaj deklaratës së Kirby.

“Nëse Amerika ka frikë të acarojë Vladimir Putinin, dhe kjo është arsyeja pse nuk jemi të ftuar, atëherë kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të na japin sa më shumë që të jetë e mundur që të mund të mbrohemi nga agresioni rus”, shtoi presidenti ukrainas.