Maqedoni

NATO: Maqedonia ka mundësi historike që të inkuadrohet në familjen euroatlantike

Zëdhënësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Oana Lungesku pas fillimit të negociatave inkuadruese të Maqedonisë në Aleancë, deklaroi për MIA-n se ngjarja e sotme është hap i rëndësishëm për Maqedoninë dhe se vendi tani ka mundësi historike të bëhet pjesë e familjes euroatlantike nëse implementohet Marrëveshja e Prespës.

“Vendi shënoi hap të rëndësishëm sot me fillimin e negociatave inkuadruese dyditëshe  në selinë e NATO-s”, deklaroi për MIA-n, Lungesku.

“Negociatat e mbulojnë sigurinë, mbrojtjen, çështjet politike, juridike dhe financiare, si dhe qëllimet dhe afatet të cilat Shkupi duhet t’i plotësojë  gjatë anëtarësimit dhe pas. Ky është vazhdim i punës së procesit inkuadrues, i cili filloi në korrik  pas ftesës së aleatëve në Samitin në Bruksel. Shkupi ka mundësi historike ta zbatojë Marrëveshjen për emrin  dhe ta dërgojë vendin  në familjen euroatlantike. Kjo do të ndihmojë  të konsolidohen paqja dhe stabiliteti mbarë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Lungesku për MIA-n.

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga  zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, së bashku me Koordinatorin  nacional për NATO, Stevo Pendarovski, e hapën sesionin e sotëm me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Aleksandro Alvargonzales, dhe me ekipin e NATO-s për negociata me Maqedoninë.