NATO: Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht dhe sa më shpejt marrëveshjen për të cilën u dakorduan

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka bërë të ditur se Aleanca Veriatlantike e mirëpret dakordimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian.

Lungescu në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se NATO është e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe KFOR-in.

“Ne i  shtyjmë të dyja palët që sa më shpejtë të zbatojnë atë që kanë rënë dakord, po ashtu kërkojmë që të ketë zbatim të plotë marrëveshja. Ne jemi të përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe KFOR-in”, ka shkruar Lungescu.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.