NATO-ja hodhi poshtë të dielën akuzat e Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko se po përforconte forcat ushtarake afër kufirit perëndimor të vendit, por tha se po e vëzhgon nga afër situatën në vend.

Lukashenko ishte shprehur më parë se tanket dhe avionët e NATO-s janë vendosur 15 minuta larg kufirit të Bjellorusisë.

Një zëdhënëse e NATO-s tha në një deklaratë se, “nuk ka shtim të forcave të NATO-s në rajon. Prania shumëkombëshe e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës nuk është kërcënim për asnjë vend. Ajo është rreptësisht mbrojtëse, proporcionale dhe me synimin për të parandaluar konfliktin e për të ruajtur paqen”.

Zëdhënësja i bëri thirrje Bjellorusisë të respektojë liritë themelore, përfshirë të drejtën për protesta paqësore.

Fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia janë anëtare të NATO-s. Aleanca dërgoi katër grupe luftarake në këto vende si dhe në Estoni për të parandaluar inkursionet e mundshme ruse, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Numri i trupave në këto grupe të gatshme luftarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, është rreth 5,000.

Të shtunën, Polonia nënshkroi një pakt mbrojtjeje të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, në bazën të të cilit Shtetet e Bashkuara do të shtojnë numrin e trupave në Poloni.

Marrëveshja përfshin trajnimin e forcave polake në aspektin e zbulimit dhe komandës, dhe një rritje të mundshme të shpejtë në praninë e atjeshme ushtarake të SHBA me deri në 20 mijë trupa, në rast të shtimit të kërcënimit.