NATO: Barrikadat u hoqën shpejt për t’i zbutur tensionet

Aleanca Veriatlantike (NATO), njoftoi të enjten se ka përfunduar heqja e automjeteve që bllokuan veriun e Kosovës. Në njoftim thuhet se operacioni për largimin e tyre u krye në përputhje me mandatin e KFOR-it dhe të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ai (misioni v.j.) vjen pas vendimit të marrë më 28 dhjetor 2022 për heqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës. Heqja e barrikadave pasoi përpjekjet intensive të Aleatëve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për të zbutur tensionet, me mbështetjen kryesore nga KFOR-i dhe misioni i BE-së, për Sundimin e Ligjit (EULEX)”, thuhet në komunikatë.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë e personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, duke kontribuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje.

NATO-ja u shpreh se e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, Beogradi dhe Prishtina, si mjet kryesor për gjetjen e zgjidhjes.