Ish- komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj sot është i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në lukth, si rezultat i përkeqësimit të shëndetit pas lirimit nga burgu i Hagës.

Ish- nënkryetari i OVL-UÇK’së, Nasim Haradinaj, i cili ka shtetësinë suedeze dhe e gjithë familja e tij e ngushtë dhe jetojnë atje, nuk iu është mundësuar nga Dhomat e Specializuara që të operohet në Suedi, apo në cilindo shtet jashtë vendit, duke mos i dhënë leje atij që ta lëshojë Kosovën, për shkak të proceduarave ligjore.

Haradinajt muaj më parë i ishte konfirmuar data e operimit në Suedi, por një gjë e tillë i është pamundësuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, e cila nuk e ka lejuar atë që të udhëtojë jashtë Kosovës deri në përfundimin e dënimit kusht, e që skadon me 24 dhjetor të këtij viti, por gjendja e tij shëndetësore e përkeqësuar nuk ka mundur të pres më gjatë, andaj detyrimisht ai sot po i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, në njërën nga klinikat private në Prishtinë, kështu ka mësuar mediumi Ballkani.info, nga burimet.

Haradinajt i ishte konfirmuar edhe nga Haga se me lajmërim paraprak do t’i mundësohej një gjë e tillë, por përkundër kërkesës së paraqitur me kohë nga avokati i tij që Haradinaj të udhëtojë për shërim në Suedi, Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë refuzuar një kërkesë të tillë.

Familjarët e Nasim Haradinajt kanë refuzuar të flasin, ngase siç kanë thënë ata e kanë të ndaluar që të japin deklarata, që qoftë në mënyrë direkte apo indirekte japin informacione që lidhen në një formë ose tjetrën me Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ndryshe, më 18 maj 2022, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shpallur aktgjykimi në shkallë të parë, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Por që, Paneli i Apelit në Hagë, më 2 shkurt 2023 ka ulur dënimin për nga tre muaj ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ashtu që u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim (secili veç e veç). Ndërsa, la në fuqi dënimin me gjobë në shumën prej 100 euro për secilin veç e veç.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.