Naser Rugova assesi të shfajësohet për mungesën në seancë, fajëson “mediat” e SHIK-ut

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, i cili mungoi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku dështoi votimi i rezolutës të propozuar nga partia e tij lidhur me ndalimin e presidentit Thaçi që të bisedojë me Serbinë për korrigjimin e kufirit, edhe sot është munduar të shfajësohet për atë mungesë.

Kësaj herë, Rugova në fotografi e ka përfshirë edhe deputetin tjetër të LDK-së, Anton Quni, i cili po ashtu nuk ishte i pranishëm në seancë.

Rugova ishte larguar nga seanca me arsyetimin se ka termin për vizë në Ambasadën e Hungarisë.

Për këtë mungesë Rugova ishte kritikuar ashpër edhe nga bashkëpartiku i tij, ish deputeti, Hashim Deshishku, shkruan Ballkani.info.

Rugova në postimin e sotëm fajin ua ka lënë mediave, të cilat i ka quajtura të afërta me SHIK-un dhe pushtetin, që sipas tij po tentojnë të njollosin figurat e LDK-së.

Ja postimi i Naser Rugovës:

Të nderuar miq,
Në seancen e parafundit që kishte temë rezolutën e propozuar nga opozita kanë munguar në seancë 6 deputet të LDK-së ( me njoftim paraprak të Grupit Parlamentar ) dhe dy deputet nga VV-ja.
Media të afërta me pushtetin dhe financues të SHIK-ut po tentojnë të dëshpruar të njollosin figura të LDK-së dhe të mbjellin përqarje dhe konfuzion në veçanti për mua dhe deputetin Anton Quni, por si gjithmonë do ngelen të zhgënjyer!
LDK është e fortë, unike, kemi harmoni dhe koncenzus dhe në garën e ardhshme kurdoqoftë që do të mbahet do ju tregojmë vendin këtij soji të prishur!
Zvarranikët kurrë nuk i arrijnë shqiponjat!
Bashkë të vendosur, vazhdojmë!