Ushtruesi i detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, është lidhur direkt në një emission televiziv nga arratia, ku ka treguar se ndodhet në një udhëtim zyrtar në Francë.

Për këtë udhëtim, Hafizi tha se ka marr aprovimet e nevojshme nga Ministria.

“Unë aktualisht jam në një udhëtim zyrtar në Francë….Unë I kam marrë të gjitha aprovimet prej Ministrisë”, ka deklaruar Hafizi në RTV Dukagjini.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale sot është zhvilluar një aksion në Ministrinë e Mjedsit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas hetimeve disamujore.

Në këtë aksion është arrestuar Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi, derisa Hafizi nuk është gjetur në banesë.

“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë.