Napoli seriozisht interesohet për Rashicën

Jo vetëm Milani në gjurmët e Milot Rashicës. Sipas medieve nga përtej Adriatikut, për sulmuesin e Werder Bremenit interesohet seriozisht edhe Napoli.

Në pritje të zgjidhjes së të ardhmes në Champions, klubi napolitan duhet të zgjidh edhe problemet e brendshme që nuk kanë të bëjnë me futbollin, çka ka ndikuar në uljen e rendimentit. Drejtuesit e skuadrës nga jugu i Italisë kanë nisur të studiojnë alternativat që u ofron merkatoja që në dritaren e janarit.

Corriere dello Sport shkruan se Milot Rashica, autor i 8 golave në këtë sezon me Werderin në Bundesligë është objektiv i presidentit De Laurentiis.

Në fakt, drejtori sportiv Giuntoli, e ndjek lojtarin e datëlindjes 1996 që kur luante me Vitessen në Eredivisie. Klubi gjerman, ç’është e vërtetë, nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e shqiptarit në gjysmën e sezonit dhe vetë lojtari është shprehur se nuk po mendon për merkaton:

“Jam shumë i qetë, jam i lidhur me kontratë deri në vitin 2022 dhe kemi një skuadër fantastike.”

Por Napoli nuk “gënjehet” nga deklaratat publike, ndaj ka në plan të ofrojë Amin Younes për të bindur drejtuesit e klubit gjerman për Rashicën.

Sigurisht që Napoli duhet të shtojë edhe një shumë parash për yllin kosovar, kartoni i të cilit vlerësohet jo më pak se 20 milionë euro. Talenti nga Vushtrria u pëlqen edhe disa skuadrave angleze, ndaj çmimi i tij mund të rritet edhe më shumë.