Konflikti

Nagorno-Karabakhu ka regjistruar edhe 37 viktima në mesin e ushtrisë

Nagorno-Karabakhu ka njoftuar për 37 viktima tjera në mesin e ushtrisë së vet nga luftimet me Azerbajxhanin, duke çuar shifrën totale të viktimave në radhët e ushtrisë në 710. Po ashtu nga Nagorno-Karabakh është njoftuar për 36 civilë të vrarë.

E Azerbajxhani ka njoftuar se 60 civilë kanë vdekur nga luftimet që kanë nisur më 27 shtator, ndërsa nuk ka treguar për humbjet në radhët e ushtrisë, njofton agjencia Reuters.

Nagorno-Karabakhu është territor në Azerbajxhan që është nën udhëheqje të armenëve.

Armenia e Azerbajxhani të dielën kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka njoftuar se rajoni Aghdam është bombarduar nga forcat armene. Armenia e ka mohuar këtë.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit po ashtu ka treguar se ka rrëzuar një aeroplan luftarak armen Su-25 që ishte futur brenda territorit azer. Armenia e ka mohuar këtë.