Nagavci, që nuk di ta shkruaj fjalën përgatitur, i reagon opozitës: Nuk i trembemi as një opozite që zgjedh mjete të tilla

Reagimeve ndaj gjuajtjes me vezë drejt zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, i është bashkëngjitur edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Të gjuash me vezë, thotë Nagavci, nuk të bën në vetvete opozitar.

Sipas Nagavcit, opozita e cila bëhet vetëm sa për të kundërshtuar, nuk do të japë rezultate.

“Opozita e përgatitur, e vëmendshme e aktive do ta bënte më të vëmendshme, më të përgjegjshme e më të kujdesshme edhe pozitën. Opozitarizmi duhet të jetë i bazuar në fakte e argumente, me dhënie të propozimeve e ideve alternative. Asnjëherë, opozita e bërë si kundërshtim vetëm sa për të kundërshtuar, nuk do të japë as rezultate e as s’fiton përkrahje”, shkruan Nagavci.

Ajo megjithatë thotë se partitë në pushtet, do të mirëprisnin një opozitë e cila është në gjendje të debatojë me argumente, për çka thotë se edhe do t’i bënte mirë demokracie në vend e do të rriste kujdesin e pozitës.

“Ne mirëpresim një opozitë konstruktive, që është në gjendje të debatojë me argumente, që ka ide e mbanë përgjegjës ekzekutivin. Një opozitë e tillë jo vetëm se do të rriste kujdesin e pozitës, por do t’i bënte mire demokracisë dhe zhvillimeve në vend. Ne, megjithatë nuk i trembemi as një opozite që zgjedh mjetin si të tillë, pa asnjë qëllim për të arritur, përveç mjetit që bëhet si qëllim në vete. Ndonëse kur mjetet përdoren pa pasur një qëllim në vete, kur nuk ka kauzë për të cilën ke bërë përpjekje të arrish rezultate, kur nuk ke përdorur asnjë mjet e rrugë parlamentare për të arritur qëllimet që mund të kesh, përdorimi i mjeteve joparlamentare vetëm se të shpërfaq smirën e zilinë dhe tregon se nuk ke asnjë fakt e argument për të kundërshtuar punën e mirë të pozitës, për të treguar se ke bindje e qëndrime parimore”, shkruan tutje deputetja Nagavci.

Tutje, Nagavci prapë thekson se VV-LDK, do ta heqin taksën por atë do ta zëvendësojnë me reciprocitet.

“Sa i përket tarifës, edhe LV! edhe LDK gjatë fushatës zgjedhore i kanë bërë të qarta dhe publike qëndrimet, kemi deklaruar se tarifën do ta zëvendësojmë me reciprocitet dhe qytetarët na votuan duke na dhënë legjitimitet për të realizuar premtimet tona”, përfundon ajo.

Kujtojmë dhe njëherë se paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti se së shpejti do të hiqet taksa ndaj mallrave serbe, kanë filluar të kundërshtohen edhe me kundërshtime fizike. Një veprim i tillë ka ndodhur ndaj zv.kryeministrit Avdullah Hoti.

Hoti përderisa ishte duke ecur afër objektit të Qeverisë, është sulmuar me vezë.

Statusi i plotë në origjinal i zonjës Nagavci e cila nuk ka ditur ta shkruaj drejt fjalën përgatitur, duke e shkruar ‘pregatitur’. Ajo ka qenë më herët edhe profesoreshë në Gjakovë dhe drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.