Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtare e kryesisë së Levizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, përmes një konference për media njofton se subjekti i saj politik ka paraqitur kërkesën në Kryesinë e Kuvendit për raportimin e kryeministrit Hoti lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Washington.
Sipas saj, për marrëveshjet e nënshkruara në Washington, kryeministri Avdullah Hoti mbështetet vetëm nga gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës.
“Për marrëveshjet që ka nënshkruar, e ka prapa vetëm gjysmën e LDK-së dhe gjysmën e Nismës, janë të vetmet që nuk kanë paraqitur ankesa për marrëveshjet e nënshkruara në Washington”, tha Nagavci para gazetarëve.
Ajo tha se në takimin e 4 shtatorit janë parë veprime të kundërta me deklaratat e thënë nga e kaluara.
“Ajo çfarë pamë më 4 shtator ishin zotime krejtësisht të kundërta me deklarimet që i kemi parë disa herë publikisht dhe ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shtoi Nagavci.
Tutje, Nagavci theksoi se deputetët e Levizjes Vetëvendosje kanë bërë kërkesa për raportim lidhur me polititëkn e jashtme, minishengenin, Ujmanin, viktimat e dhunës seksuale dhe të pagjeturit, dhe për shpenzimet e “delegacionit të stërmadh që udhëtoi në Washington”.







