Nagavci mbron emërimet e anëtarëve të VV’së nëpër borde, thotë se po rritet përkrahja për partinë

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci i ka mbrojtur emërimet e anëtarëve të VV’së në Borde.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci ka thënë se nevojitet reagim i shpejtë, auditim i brendshëm në ndërmarrje nga bordet e përkohshme, vlerësim i performancës, ndërprerje e kontratave të dëmshme dhe adresim i secilës shkelje.

“Kosova, fatkeqësisht është një nga vendet më të izoluara, korruptuar, vjedhura e keqpërdorurura. E kjo nuk ka ndodhur as rastësisht e as vetvetiu. Andaj nevojitet reagim i shpejtë, auditim i brendshëm në ndërmarrje nga bordet e përkohshme, vlerësim i performancës, ndërprerje e kontratave të dëmshme, adresim i secilës shkelje”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, përkrahja për VV’në vetëm sa po rritet.

“Standarde të reja janë vendosur tashmë. Qytetarët janë vetëdijësuar dhe reagimi është i shpejt e shumë shpesh masiv, gjithnjë e më shumë aktivizëm politik e përfshirje”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Qeveria në detyrë ka emëruar anëtarë të bordeve dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dermaku, është zgjedhur anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike Hekurudhat e Kosovës – Infrakos.

Ky vendim është marrë nga shefi i Qeverisë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Vetëvendosjes. Artan Dermaku në partinë e Kurtit ishte antarësuar në muajin gusht të vitit 2018.

Përveç Dermakut, në bordin e Infrakosit janë emëruar edhe Enis Berisha, Vjollca Jashari dhe Abdullah Lala.

Kurti po ashtu ka emëruar një tjetër njeri të Vetëvendosjes në bordin e një tjetër ndërmarrjeje.

Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, i emëruari si kryesues i bordit të drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.