Bëhen bashkë

Naftarët në Kosovë mohojnë se çmimet e naftës janë më të lartat në rajon

Raportimi se në Kosovë nafta po shitet 30 centë më shumë se në vendet e rajonit ka nxitur reagimin e Shoqatës së Naftarëve të cilët thonë se Kosova është vendi i dytë në shtetet fqinje me çmimin më të ulët të naftës.

Ata siguruan se nuk ka asnjë marrëveshje për ngritje të çmimit dhe ftuan Autoritetin e Konkurrencës të hetojë për këtë.Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani në një konferencë për media tha se nafta në Kosovë është më e lira dhe se të gjitha raportimet se në Kosovë çmimi i naftës është 30 centë më lartë se vendet e rajonit, janë të pavërteta.

Berjani njoftoi edhe për takimin që kanë zhvilluar sot me kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin tha se përveç çmimit të naftës, kanë diskutuar edhe për kërkesat e tyre për rregullatorin dhe kyçjen në rrugë.

Kurse, Latif Kryeziu nga Al-Petrol-Shell, siguroi të gjithë qytetarët se nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet bizneseve për ngritje të çmimit të naftës.

Madje tha se fitimi është shumë i vështirë për arsye të konkurrencës së ashpër, meqë në Kosovë tashmë janë rreth 1000 pika të derivateve të naftës.

Ndërsa, për ulje të çmimeve në disa pika, Kryeziu i konsideron raste të izoluara, duke thënë se ato e kanë bërë për arsye të caktuara personale, për shkak të pagesave të kredive që ato kanë.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga naftarët të respektojnë çmimin e tregut, ndërsa kërkoi nga Autoriteti i Konkurrencës të hetojë për këtë çështje.