Një qytetar nga Kosova pretendon se është përballur me keqtrajtim dhe shantazh nga zyrtarë policorë serbë gjatë kalimit në pikën kufitare Batrovci/Bajakovo.
Rasti është bërë publik nga avokati Arianit Koci, i cili ka bërë të ditur se është kontaktuar nga një qytetar me emrin Illir, identitetin e të cilit thotë se e ka verifikuar dhe dokumentet i ka në posedim.
Sipas rrëfimit të tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në momentin kur ai dhe familja e tij po largoheshin nga Serbia. Ai pretendon se janë ndaluar për kontroll dhe më pas janë dërguar në një hapësirë të mbyllur, të përshkruar si garazh brenda zonës kufitare, ku ndodheshin disa policë.
Gjithnjë sipas pretendimeve të tij, gjatë kontrollit u janë marrë telefonat dhe u janë kontrolluar fotografitë. Ai deklaron se pasi në telefonat e fëmijëve janë gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe të UÇK-së, është kërcënuar me arrestim.
Më tej, qytetari pretendon se është kërcënuar se do të dërgohej në paraburgim në Beograd dhe se fëmijët e tij do të mbeteshin vetëm, nëse nuk u jepte policëve një shumë prej 2.000 eurosh. Nga frika, ai thotë se ua ka dorëzuar shumën e kërkuar.
Avokati Koci ka theksuar se, ndonëse ka verifikuar identitetin e personit, nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur rrethanat e ngjarjes.
Ai e ka cilësuar rastin si jashtëzakonisht serioz, nëse pretendimet rezultojnë të sakta, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë përjetuar situata të ngjashme gjatë kalimit nëpër Serbi që të raportojnë rastet tek autoritetet përkatëse, përfshirë policinë dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas tij, nëse evidentohen raste të tjera me elemente të ngjashme, ato duhet të dokumentohen dhe të trajtohen përmes rrugëve ligjore.







