LAJMI I FUNDIT

N1: Beogradi pagoi për mbrojtjen e zyrtarëve serbë të akuzuar për korrupsion në Kosovë

Dokumentet tregojnë se Qeveria e Serbisë financoi avokatët që mbronin zyrtarët e akuzuar për korrupsion në gjykatat e Kosovës.

Në të paktën dy procedura gjyqësore në vitin 2021, Qeveria e Serbisë financoi nga buxheti mbrojtjen e të akuzuarve për korrupsion, raporton televizioni serb, N1.

“Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për qasje në dokumente publike në komunën e Leposaviqit tregojnë procedurën dhe sasinë e mjeteve që autoritetet serbe kanë ndarë për mbrojtjen e këtyre personave. Siç shtohet, Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në momentin e publikimit”, raporton N1, transmeton Ballkani.info.

Dokumentet tregojnë se pesë avokatë – tre shqiptarë dhe dy serbë – morën fonde nga qeveria serbe për të mbrojtur serbët e Kosovës të akuzuar për korrupsion.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, avokati nga Mitrovica Shyqeri Syla tha se në korrik të vitit 2021 e kishte kontaktuar Jelica Baraq, e cila akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare në komunën e Leposaviqit.

Dokumentet tregojnë se muaj pas kësaj, Qeveria e Serbisë ka lëshuar një faturë prej 69 mijë dinarë serb (rreth 590 euro, sipas kursit aktual) për të mbuluar shërbimet e Sylës.

“Nuk e di nëse i janë rimbursuar ato mjete të pandehurit, sepse nuk më interesonte kjo, sepse e kam marrë pagesën nga i pandehuri”, ka thënë Syla në përgjigjen e tij me shkrim.

Baraq në ndërkohë ka ndërruar jetë.

Asdren Hoxha, një avokat tjetër, sipas dosjeve, ka marrë 94.500 dinarë serbë (805 euro) në tri llogari të gjetura. Ai nuk pranoi të komentojë.

Ndër dokumentet që u gjetën në dosjen e Hoxhës ishte edhe vendimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të punësuar avokatë kosovarë, ndërsa faturat ishin nënshkruar nga Zoran Todiq, kryetari i komunës së Leposaviqit, organ i njohur në Kosovë si strukturë paralele e kontrolluar nga Serbia.

Siç thuhet, në dokumente gjendet logoja e institucioneve paralele nën mbishkrimin “Republika e Serbisë – Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë”.

Në dosjen e tij rezulton se faturat janë dorëzuar në komunën qendrore të Kosovës, Graçanicë dhe më pas janë dërguar në Leposaviq, ku janë arkivuar.

Hoxha siguroi përfaqësim ligjor për të pandehurin e akuzuar si pjesë e një grupi shqiptarësh etnikë dhe pjesëtarë serbë etnikë të Policisë së Kosovës të akuzuar për kontrabandë. Gjykimi është duke vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Një avokat tjetër i kontaktuar, Faruk Korenica, tha se nuk ishte në dijeni që fondet për të akuzuarin e tij vinin nga Qeveria e Serbisë.

“Ajo që më intereson është marrëveshja… dhe futja e parave në llogarinë time. “Nuk më intereson nëse i akuzuari merr para nga babai, xhaxhai apo Qeveria e Serbisë”, tha Korenica. /Ballkani.info/