Myzejene Selmani e AKR-së pranon se Palau ka tërhequr njohjen për Kosovën

Ish-deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani, tash pjesë e strukturave të larta të kësaj partie dhe këshilltare në MPB, e ka demantuar liderin e saj, Behgjet Pacolli, njëherësh kryediplomat i Kosovës, rreth çnjohjes shtetërore nga Republika Palau.

Faktikisht, këtë gjë Selmani e ka bërë duke u munduar ta mbrojë kryediplomatin Pacolli.

Statusi i plotë i ish-deputetes së AKR-së, Myzejene Selmani:

Serbia lobim kundër njohjes me heqjen e vizave për vendet që nuk e njohin Kosovën.

Republika Palau deri më tani nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me Serbinë, mbase edhe nuk mund ta ketë ditur ku ndodhet. Por pas tërheqjes së njohjes së Kosovës presidenti i saj vizitoi Beogradin. Ky mund të jetë edhe rasti i parë në histori që një shtet të tërheq njohjen e një vendi të caktuar për tia përmbushur dëshirën një shteti tjetër me të cilin nuk ka kurfarë marrëdhënie!.

Për ironi ministri i jashtëm serb Ivica Dacic duke iu kundërpërgjigjur kritikave të ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, thotë se e vetmja armë që Serbia e përdorë që të bind vendet tjera të tërheqin njohjen e Kosovës është e “vërteta”!.

E vërteta është se Serbisë nuk i ka munguar mbështetja publike nga ana e Moskës. E dyta se Serbia përdorë cdo mjet të mundshëm, tregon fakti që në këmbim të parandalimit të njohjeve dhe eventualisht tërheqjes së njohjeve, po përdorë heqjen e vizave për vendet e treta, pra ato jashtë BE. Kjo nënkupton që Serbia po bëhet trafikuesi kryesor i emigrantëve për në vendet e BE.

Raportet e fundit të Brukselit kanë qenë kritik ndaj politikës së vizave të Serbisë që nuk aplikon ndaj vendeve të treta dhe që nuk po harmonizon qëndrimet me ato të BE. Rezhimi i vizave me 17 vende nuk është në harmoni me politikën e BE-së, gjë e cila parashihet me kapitullin e 24 që i referohet, drejtësisë, lirisë, sigurisë në kuadër të cilës ndodhet politika e vizave.

Janë shumë shtete që nuk e njohin apo kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Ishte rasti me Iranin me të cilin nuk aplikoi viza derisa për shkak të emigracionit BE nuk e kërcënoi me suspendim të vizave.

Ndërsa vetë nuk aplikon rezhimin e vizave, Serbia kritikon Kosovën si vend të transitit të emigrantëve nga disa vende që paraqesin rrezik për siguri. Kryediplomatit serb në vend që të fokusohet në përmirësimin e raporteve me Kosovë dhe ngritjen e mirëqenies së serbëve në Kosovë më shumë i intereson tërheqja e njohjes në këmbim të heqjes së vizave. Kjo duket një nga armët më të fuqishme që po e përdorë dhe që duhet denoncuar në Bruksel. Po ka edhe argumente tjera si shitja e armëve drejtpërdrejt apo si ndërmjetës.