Muzikë live pas mesnate në Gjakovë/ Njëri nga mysafirët duke ikur nga policia bie nga një lartësi e bëhet për spital

Sot rreth orës 01:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës kishte dëgjuar muzikë në lokalin “Muzikë live të XIKI” në Gjakovë, i cili ishte duke punuar pas orarit të lejuar.

Pasi e ka vërejtur policinë, pronari kishte mbyllur e fikur dritat e lokalit.

Ai po ashtu kishte detyruar klientët që të përdorin një dalje tjetër alternative e cila ishte e papërshtatshme dhe pa ndriçim.

E lidhur me këtë, njëri nga mysafirët pasi ishte detyruar nga pronari që të largohej me vrap nga ajo dalje kishte rënë nga një lartësi mbi 2 metra, ku më pas kishte lënduar boshtin kurrizor dhe kishte pësuar thyerje në dorën e djathtë.

Lajmin për Sinjali e ka konfirmuar Policia Rajonale e Gjakovës, gjersa kanë bërë të ditur se lidhur me këtë rast do të vazhdojnë hetimet në vijim.

“Ai është vërejtur nga polica të cilët kanë ftuar autoambulancën në vendin e ngjarjes. Viktima është hospitalizuar dhe gjendja e tij është stabile. Edhe përkundër shumë përpjekjeve policia nuk ka mundur  të kontaktoj me pronarin e lokalit, pasi qe dyert ishin te mbyllura dhe se ishte larguar fshehurazi nga lokali. Lidhur me këtë rast do të vazhdojnë hetimet në vijim”, thuhet në përgjigjen e PK-së.