Mustafa tregon bisedën me Haradinajn: E padenjë të thuhet se njëri partner e fali Ujmanin, e tjetri e shpëtoi

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se sa i përket Liqenit të Ujmanit në marrëveshjen e Uashington-it, nuk është ajo që po raportohet në disar media.

Sipas tij, formulimi për Ujmanin nuk ka pasur asnjë ndryshim me datën 4 shtator, por që me 3 shtator ai është njoftuar nga kryeministri Avdullah Hoti, për harmonizimin e formulimit, që është nënshkruar ditën e nesërme.

Mustafa tha se me Ramush Haradinajn ka komunikuar në telefon dhe me mesazhe me datën 3 shtator, janë takuar dhe kanë pirë kafe me datën 4 në ora 10:00 paradite, ku thuhet ta ketë informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç është prezantuar nga Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe dhe se kësisoj s’ka vend për shqetësime.

Më pas ai tha se Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo tjetër) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë, por vetëm me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujamni, por vetëm fizibiliteti për ujërat.

Ndërkohë ai thotë se është njoftuar nga Haradinaj me 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ku i është përgjigjur se Hoti po bisedon me ndërmjetësuesit amerikan, për të kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së.

Mustafa tha punët e qeverisë kërkojnë bashkëpunim dhe se i tillë është edhe dialogu.

“Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi”, tha ndër të tjerash Mustafa.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë

E vërteta për marrëveshjen në Washington, sa i përket Liqenit të Ujmanit, nuk është kjo që po raportohet nga disa media.

Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga Kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator).

Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojme edhe pasdite, me kohen tone lokale.

Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjeter) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë por vetem me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat.

Jam informuar nga Kryeministri, pasi ia kam prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime të marrëveshjes dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç është dakorduar ditën e 3 shtatorit ose të mos nënshkruhet.

Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të.

Punët e qeverisë këkojnë besim dhe bashkëpunim. I tillë është edhe dialogu. Kryeministrin dhe qeverinë e kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë besimin si partner të koalicionit, prandaj vetëm mbi këtë bazë mund të funksionojë qeveria dhe ta bëjë punën e saj.

Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi. IM