Mustafa: Rugova e krijoi miqësinë me Amerikën, PDK po keqpërdor këtë miqësi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të martën gjatë një tubimi elektoral në Degën IV në Prishtinë, se PDK dhe kryetari i saj, duke keqpërdorur personalitetin e presidentit amerikan, Donald Trump, kanë nxitur edhe reagimin e sotëm të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e cila tha se e respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës më 6 tetor.

“Nëse dikush ka dhënë shembull se si ndërtohen partneriteti me BE-në dhe SHBA-të është LDK-ja. Partneritet nuk kanë ndërtuar këta që po dalin në fotografi dhe po keqpërdorin personalitetin e presidentit të SHBA-ve, e po duhet ambasada amerikane me reagu me thanë se ne e vlerësojmë dhe e respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nëse dikush është me Amerikën është Lidhja Demokratike e Kosovës sepse Ibrahim Rugova na e ka hapur rrugën për në Amerikë”, ka thënë Mustafa, njofton LDK-ja.

Ai ka pasur një porosi për qytetarët e Kosovës që do të votojnë më 6 tetor.

“Nëse doni miqësi me SHBA-të dhe partneritet me BE-në. Nëse doni hapje të vendeve të punës e zhvillimit ekonomik, nëse doni luftë kundër krimit e korrupsionit, nëse doni luftimin e atyre që po e zhvatin shtetit, atëherë duhet të votohet LDK-ja dhe t’ia japim shansin Vjosa Osmanit që ta ushtroj këtë përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka porositur Mustafa.

Gjatë këtij tubimi elektoral ka folur edhe kryetari i degës së IV-të, Besian Mustafa.

“Vjosa ofron zgjidhjen më të mirë për zhvillim ekonomik, ofron zgjidhje më të mirë në arsim e shëndetësi. Ofron zgjidhjen më të mirë për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet Kosova”, ka thënë Mustafa.

loading…