Mustafa reagon ashpër pasi e lidhin me Kurtin: Nuk iu shërbejmë interesave pushtetore dhe kolaboracioniste

Kryetari i Lidhjës Demokartike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit se “LDK është peng i Albin Kurtit”. Mustafa në një status në Facebook ka thënë se partia e tij i merr vendimet vet. Ai ka bërë me dije se LDK është parti e Kosovës: shtetformuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtetformuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

I pari i LDK’së tutje ka thënë se askush nuk ka nevojë të brengoset për partinë e tij.

“Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lot krokodili për LDK-së, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta”.

Mustafa ka thënë se “Karvani i LDK-së po ec”.

“LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vet si do ti shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës. Karvani i LDK-së ec”.

Gjatë ditës se sotme zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instrukcione prej Albin Kurtit.

“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi.

Kurse, gjatë ditës së djeshme këshilltari politik i Kadri Veselit, Blerim Latifi ka thënë se ”problemi më i madh i LDK-së gjatë këtij viti ka qenë njëlloj dileme hamletiane: Të jesh apo të mos jesh pjesë e dialogut”.