Mustafa: Për vota VV mësimdhënësit i quante “pishtarë të dijes”, tani “organizatë kriminale parapolitike”

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka reaguar ndaj qeverisë për mos ekzekutimin e pagave për muajin shtator.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se sot qeveria i la mësimdhënësit pa bukë, duke mos ua ekzekutuar pagat, pa të cilat s’kanë si të paguajnë faturat e kreditë e as fëmijëve tu blejnë libra e fletore.

Mustafa ka thënë se kur VV iu trokiti në derë për vota, i quajti pishtarë të dijes e sot i quan “organizatë kriminale parapolitike”.

Ai ka bërë thirrje që mos t’ua harrojnë fytyrat pushtetarëve, kur ata t’u trokasin përsëri në derë.

Postimi i tij i plotë:

Kur ju trokitën në derë dhe ua dhatë 50,12% të votave tuaja, ju quajtën “pishtarë të dijes”.

Sot, ju quajnë “organizatë kriminale parapolitike” dhe përdorin çdo fjalë ofenduese e linçuese që ka fjalori i gjuhës shqipe – bile huazuan edhe nga gjuhët tjera.

Sot, s’ua qesin pagat, ju lanë pa bukë. Nuk lodhen se si pa këto paga s’mund të paguani faturat e energjisë, ujit, ngrohjes, këstin e kredisë… s’keni as me çka t’u bleni fëmijëve fletore e lapsa.

Mos ua harroni fytyrat, emrat dhe veprat kur t’ju trokasin në derë përsëri.