Deputeti i LDK-së

Mustafa pasi Hajdari u dënua me 200 euro gjobë: Shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjobë prej 200 euro Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin, për aksidentin ku kishte goditur me veturë një fëmijë.

Sipas Mustafës, “shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë”.

“Shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë! Ministrja e shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare, dënohet 200 euro. Kaq ka vlerë për ta një fëmi, 200 euro. E këta të flasin për kapje të shtetit e të gjykatësve. Këta të flasin për korrupsion. Vet janë të korruptuar edhe shpirtërisht! Plagosin fëmijë, e gjykatësit e kapur i dënojnë 200 euro! Dorëheqja e kësaj ministreje nuk mjafton! Jeni mbuluar kokë e këmbë në turp! Të paftyrë!”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim në rastin e Rozeta Hajdarit.

Asaj i është shqiptuar dënim me gjobë prej 200 euro pasi goditi me veturë një të mitur.

“Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në njoftim.