Mustafa: Osmanit i uroj suksese, rezultatet tregojnë se për kë janë qytetarët

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i ka uruar sukses Vjosa Osmanit e cila ka paralajmëruar se në zgjedhje do të garojë me një listë të sajë.

“Nuk mund të jap vlerësime, dëshirojë t’i uroj suksese z.Osmani dhe rezultatet në fund do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Kosovës”, kështu deklaroi Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së LDK ku edhe bënë të ditur emrin e kandidatit për kryeministër nga kjo parti.

Mustafa bëri të ditur se e gjithë kryesia kanë përkrahur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

“Në kryesi kanë qenë të gjithë, e kanë përkrahur të gjithë që z.Hoti të jetë kandidat i kryeministër. Unë kam biseduar me njerëz për të cilët ka pasur opinione të ndryshëm dhe i kam pyetur por të gjithë kanë vlerësuar se ne e kemi kryeministrin. Nuk kemi vlerësuar në asnjë rast se duhet të kemi ndonjë mandatar tjetër”, tha ai.

I pyetur për koalicione, Mustafa tha se edhe më parë ka deklaruar se nuk duhet të ketë vija të kuqe.

“LDK duhet ti heq vijat e kuqe sepse nuk kemi hapësirë në Kosovë që të zbatojmë vija të kuqe, do ti heqim për të gjitha partitë politike. Është mirë që LVV po hyn vet, PDK po hyn vet, AAK po hyn vet, ne po hyjmë vet. Unë jam shumë i bindur në suksesin tonë. Do ta bëjmë maksimumin të komunikojmë me qytetarët”, tha ai.

Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të LVV Albin Kurti se do të ketë rezultat të njëjtë sikur në zgjedhjet e mbajtura në Podujevë.

“Deklaratat e tilla nuk i shoh pa një zor të madh. Albin Kurti ndonjëherë mund të jetë racional e ndonjëherë jo. Kur ndonjëherë njerëzit janë në zor e shpallin vetën mbret. Këtë ia lë qytetarëve dhe jo opinionistëve. Votuesit e LDK-së do ta votojnë LDK-në”, tha ai.

Kreu i LDK-së ka folur edhe për largimet e disa nga anëtarët e LDK-së për t’iu bashkuar listës së Vjosa Osmanit.

“Osmani ka deklaruar se në listën e saj do të ketë njerëz profesionistë, njerëz çka kanë t’i japin Kosovës, nga këto largime nuk kam pa njerëz që mund t’i japin ndonjë vlerë listës së Vjosës, si të tillë nuk janë çmuar brenda LDK dhe nuk paraqesin asnjë humbje për LDK-në”, tha ai.