Mustafa: Me VV-në do të dakordohemi se kujt i takon presidenti, propozimi kur të vjen koha

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kreu i kësaj partie tha se janë disa pika për të cilat nuk ka pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje. Në bisedimet që kanë me këtë parti për harmonizim të programit për një koalicion të mundshme qeverisës, Isa Mustafa tha se kanë diskutuar se cilës parti i takon propozimi për postin e presidentit, megjithatë nuk është në agjendë aktuale.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës para mediave, tha se kryesia ka vlerësuar që grupi punues ka bërë një punë të mirë, por ai ka deklaruar se janë disa çështje të ekonomisë dhe për çështjet sociale, për të cilat nuk kanë arritur pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa tha se në diskutimet aktuale me LVV-në do të dakordohen se kujt i takon të propozojë kandidatin për president, por i njëjti nuk do të propozohet tash por kur të vjen koha.

“Unë po shoh që po bëhet zhurmë në media për punën e presidentit, nuk e kemi rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit, ne e kemi rend dite çështjen zgjedhjes së qeverisë edhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne po ashtu konsiderojmë se të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe katër vjeçare në zgjedhje në Kuvend dhe Qeveri duhet të diskutohen mes partnerëve, dhe sigurisht diskutohet edhe çështja e presidentit. Por, në asnjë rast publikisht nuk jam shprehur e as nuk kam kërkuar të jem president i Kosovës, tjerët kanë filluar ta bëjnë këtë punë temë. Sepse për këtë do të vendos partia që i takon ta propozojë presidentin e ardhshëm të Kosovës. Ai propozim nuk do të bëhet tani do të bëhet në momentin kur shpallen zgjedhjet për president”, u shpreh ai.

Në konferencë, kreu i LDK-së foli edhe për zgjedhjen deputet të ish spiunit të BIA-së serbe nga Lista Serbe, Branislav Nikoliq.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë informatë që dikush që konsiderohet se ka qenë punëtor i BIA-s serbe të vijë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk është në fuqinë ose në vullnetin e LDK-së, me qenë në vullnetin tonë kjo nuk do të kishte ndodhë, mirëpo ligji dhe kushtetuta duhet të veprojë ashtu siç vepron ligji ashtu do të veprojmë edhe ne”, ka thënë Mustafa.

loading…