Nesër në orën 10, në një hotel në periferi të Prishtinës, do të mblidhën 359 delegatët që do të votojnë për kryetarin e ri të LDK-së
Mirëpo, ajo që ende ka mbetur pezull është kandidati. Në opinion gjithënjë e më shumë po qarkullon ideja që kryetari aktual, Isa Mustafa është kandidati konsensual. Megjithatë, Kryesia e LDK-së është mbledhur edhe sot për të gjetur formulën e daljes më një emër të përbashkët.
Në anën tjetër, nënkryetari Lutfi Haziri ka thënë se është për marrëveshje që të shkohet në Kuvend në të kundërtën ai do të jetë kandidat, shkruan Ballkani.info.
Burime të Ballkani.info brenda LDK-së thonë se ka gjasa të arrihet kompromisi sot për tri pozita.
“Ky kompromis ka të bëjë që Isa Mustafa të jetë kryetar partie, e Lutfi Haziri kandidat për kryeministër”, kanë thënë këto burime.
Në anën tjetër, pak a shumë në të njëjtën linjë ka shkruar edhe publicisti dhe gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi.
Megjithatë, ai në këtë kompromis e ka futur edhe Vjosa Osmanin. Sipas tij, Vjosa Osmani do të jetë kandidate për kryetare të Prishtinës. /Ballkani.info/






