Mustafa i replikon ashpër Muratit: S’po mundem me të thon po rren se je ministër, por është e tmerrshme

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i ka reaguar ashpër ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit ia përmendi rastin ‘Subvencionet’, ku zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë,  janë arrestuar nën dyshmin për ‘keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘mashtrim’.

Murati iu drejtuar Mustafës me fjalët se ‘duhet me pas guxim të hatashëm që brenda ministrisë me t’u gjet kuferat me pare’.

“Zotëri Mustafa foli për guximin e ministrave, pajtohem me të se me të vërtet duhet guxim i hatashëm për me shkel ligjin për menaxhimin e financave publike, ku për një akulim që e ki 12 milionë euro shkon dhe e nënshkrun vendim për 22 milionë euro. Duhet me pas guxim të hatashëm që brenda ministrisë me t’u gjet kuferat me pare”, tha Murati.

Por, ish-ministri i Bujqësisë i replikoi ashpër ministrit të Financave, duke i thënë se rrenat nuk mundesh t’i sjellësh në Kuvend.

“Ministër në Kuvend debatohet dhe në fund këto sygjerime i merr parasyssh dhe reflekton.ndërsa arrogancën dhe akuzat më vjen keq që duhet me i thon, rrenat nuk mundesh me i pru në Kuvend

Keqpërdorimet në Ministrinë e Bujqësisë, ato para nuk m’u kanë gjind mu, nëse mu kanë gjind bjeri faktet për qytetarët e Kosovës,  ju kanë gjind zyrtarëve të MB-së. Unë kam bashkëpunu me Policinë dhe Prokurorinë e shtetit që ata zyrtarë të shkojnë atje ku e kanë vendin, në burg”, tha Mustafa.

Madje ai i tha se të gjithë e dinë, se anëtarët e cilës parti kanë qenë ata zyrtarë.

“Prandaj Ministër, kur rren një qytetar, më fal që po duhet me u shpreh kështu, po kështu e fillove vet, kur rren një qytetar është marre, por kur thotë një të pavërtet, se spo muj me të thon po rren se je ministër, po është e papranueshme është e tmerrshme”, shtoi ai.