Mustafa i PDK-së i reagon ministrit Murati: Po manipulon me shifrat, rritja e BPV-së ishte vetëm 2.1%

Arben Mustafa, koordinator për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka reaguar ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati  pasi ky i fundit gjatë ditës së mërkurë ka thënë se përkundër sfidave të vazhdueshme globale “ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme”.

Mustafa i ka treguar në detaje ministrit Murati se Bruto Produkti Vendor (BPV) ka shënuar ngadalësim të theksuar të rritjes krahasuar me vitet paraprake.

“Bruto Produkti Vendor po shënon një ngadalësim të theksuar të rritjes, i cili me trendin aktual shumë shpejtë mund të arrijë edhe në nivele negative. Rritja reale e BPV-së në tremujorin e dytë të vitit 2022 ishte vetëm 2.1%, më e ulëta e shënuar gjatë një tremujori të dytë që nga viti 2014, përjashtuar vitin 2020 kur kishim kufizimin e aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se një rënie kaq e theksuar e investimeve private patjetër se kërkon përgjigje rreth asaj se çka po ndodhë me zbatimin e masave të Qeverisë për subvencionimin e investimeve të sektorit privat.

“Sa është shuma e disbursuar nga Qeveria te ndërmarrjet private dhe cili është efekti i tyre në mbështetjen e investimeve? Treguesit e ekonomisë duhet të lexohen në mënyrë të drejtë dhe komunikimi me publikun duhet të jetë i sinqertë edhe kur zhvillimet në ekonomi nuk janë të favorshme. Përdorimi nga Ministri i Financave i treguesve nominalë, sikur ai i qarkullimit të bizneseve në kushtet kur inflacioni ka arritur norma dyshifrore, paraqet një manipulim me interpretimin e treguesve të ekonomisë, në përpjekje për të paraqitur te publiku një situatë të favorshme të ekonomisë, e cila fatkeqësisht nuk po ndodhë në vendin tonë”, ka shkruar në fund Mustafa.

Postimi i plotë: