Sot pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj uroi edhe njëherë për vizat, ku tha se kësaj here Gjermania e ka thënë një “po” të menjëhershme për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Lidhur me këtë është shprehur skeptik ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mandatit të secilit kushti i demarkacionit bllokoi procesin e liberalizimit.
Mustafa tha se ka pasur deklarime kundërthënëse nga krerët e shtetit që përfaqësuan Kosovën në Berlin dhe nuk e kupton prej nga vjen kjo deklaratë e kryeministrit.
“Kemi pasur deklarime mjaft kundërthënëse edhe nga njerëzit që e kanë përfaqësuar Kosovën ne Samit. Tani nuk e kam të qartë se nga vjen ky disponim i kryeministrit, do të ishte shumë mirë sepse është fatale të shohësh qytetaret të presin te dyert e ambasadave, unë uroj që të ndodhë”, ka thënë Mustafa.
“Përderisa mos të shoh që edhe vendet tjera si Holanda, Belgjika, Franca, ta përkrahin këtë proces, atëherë nuk mund t’i aplaudoj, do t’i aplaudoja në momentin që ndodh sepse do t’i gëzohesha shumë”, tha ai.
Përndryshe, qeveria ka formuar një grup punues për bashkëpunim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë dhe harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.







